Me rënien e temperaturave gjatë stinës së dimrit, pjesëmarrësit në trafik duhet të jenë edhe më vigjilent dhe të kujdesshëm gjatë vozitjes. Policia e Kosovës është gjithmonë e përkushtuar të mbajë rendin dhe sigurinë duke patrulluar në terren, për të gjithë ata të cilët nuk respektojnë rregullat e trafikut. Policia tashmë ka publikuar me dhjetëra fushata vetëdijesuese dhe apele, për qytetarët që të tregohen edhe më të kujdesshëm. Disa nga këshillat e Policisë së Kosovës, bëjnë thirrje për kujdes dhe apele për kujdes maksimal gjatë stinës së dimrit: “Policia e Kosovës apelon për të gjithë shoferët, që të kenë kujdes të shtuar për shkak të reshurave atmosferike – dëborës. Sigurohuni që gomat tuaja të jenë të parapara për ngasje gjatë dimrit, gjithashtu presioni i ajrit të tyre duhet të jetë sipas rekomandimeve të prodhuesit, gjatë kohës së ftohët. Inspektoni të gjitha dritat dhe zëvendësoni çdo llambë të djegur. Kontrolloni rripin e alternatorit (prodhuesit të energjisë).”
Siç mëson Radio KFOR-i nga Policia e Kosovës, në periudhën Janar-Tetor 2023, në Kosovë kanë ndodhur mbi 17 mijë aksidente në trafik, derisa 88 persona kanë vdekur, si pasojë e aksidenteve.
Vozitni me kujdes! Respektoni shenjat dhe rregullat e trafikut, në çdo kohë.