Në konferencën e para pak minutash të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, u shpalosën masat e mëtutjeshme për parandalimin e virusit Corona, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve dhe të vdekurve në Kosovë dhe po ashtu u dhanë zotimet për mbajtjen nën kontroll të situatës në vend.
“Do të realizojmë 500 teste brenda ditës, do të kemi shtim shtretërish, brenda javës do të licencojmë institucione private për të bërë testet adekuate, do të bëjmë 100 mijë teste biologjike, do të sigurojmë vaksina sezonale, do të sjellim 7 aparatura për testime shtesë, do të porosisim rreth 20 mijë terapi më shumë për personat e prekur, do të sigurojmë pajisje më shumë dhe po ashtu do të punësojmë personel mjekësor shtesë”, nënvizoi mes tjerash, kryeministri Hoti.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, shpalosi masat që do të hyjnë në fuqi nga sot (5 korrik), ku qytetet me raste më të shumta të të infektuarve, si: Prishtina, Ferizaj dhe Vushtrria do ta kenë të kufizuar orarin e lëvizjes, nga ora 21:00 deri në ora 05 të mëngjesit si dhe lokalet e gastronomisë janë të obliguara që të shërbejnë ‘Take away’(merr me vete), ose në ambiente të hapura.
Në konferencën e lartpërmendur u tha se në institucionet shëndetësore, do të reduktohen të gjitha shërbimet jo esenciale, do të përgjysmohet numri i njerëzve në transportin publik si dhe do të ndërtohet një strategji mediatike, për t’i informuar qytetarët drejt sa i përket gjendjes reale në Klinikën Infektive të Kosovës.