“Rreth qafës me dashuri”, kjo është motoja e krijimit të znj. Valtida Shukriu, e cila ndërthurë dashurinë, natyrën dhe energjinë pozitive, në qafore punëdore. Pasi jemi në prag të festave të fundvitit, dhuratat punëdore janë ndër më të rekomanduarat e kjo pasi të njëjtat bëjnë diferencën, janë unike dhe të personalizuara. Në një intervistë për Radio KFOR-in, znj. Shukriu, e cila është themeluese e ‘V☘HANDMADE’, tregon përse një qafore punëdore, do të ishte zgjidhje ideale për dhuratë: “Punimi i dorës në qafore është unik dhe kjo veçori e gëzon shumë këdo që pranon një dhuratë të tillë, pasi po flasim për një stil të veçantë, që nuk e sheh shpesh në përditshmëri. Punimet artizanale dhe punëdore janë unike dhe secili ndihet mire kur i vendosë. Stili që i veçon qaforet e mija është dizajni i tyre, që është shumë bashkëkohor dhe klientët mund të porosisin qafore prej atyre elegante e deri te ato më bashkëkohore dhe bartësit e saj patjetër që do të tërheqin vëmendjen e të tjerëve për stilin unik.”
Veç dukjes unike që mund ta ketë bartësi i një qaforeje të tillë, klienti bashkë me të do të blejë edhe kohën që është shpenzuar për krijimin e saj si dhe tregimin e veçantë që bartë secila qafore: “Krijimi është pjesa më pozitive e jetës dhe këto krijime gjithmonë ndërtohen me energji pozitive dhe e njëjta do të bartet edhe tek ai që blen krijimin, në këtë rast, qaforen. Për shembull kur krijon me gurë natyral, natyra gjithmonë krijon diçka të bukur dhe patjetër që do të sjell energji pozitive dhe do të sjell energjinë e natyrës te bartësi. Varësisht nga shija e klientëve, nga natyra mund të krijojmë qafore me dru, me kristale..etj”, tha ndër të tjera znj. Shukriu, e cila përkujdeset çdo herë që bashkë me qaforen të thurë fjalë dedikuese për pranuesin e dhuratës.