Institucionet e Kosovës po vazhdojnë të jenë të mobilizuara në luftën kundër pandemisë, ku po vazhdon edhe monitorimi i zbatimit të masave anti-covid, të cilat janë ende në fuqi, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj pandemie.
Pak ditë më parë, është bërë e ditur se si rezultat i masave të vendosura në konsultim me profesionistët shëndetësorë, javëve të fundit është arritur që të ulen rastet aktive për rreth 15 për qind, megjithatë situata pandemike mbetet e rëndë. Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Faik Hoti, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se tani për tani, për menaxhim të pandemisë mbesin në fuqi masat aktuale: “Tani për tani mbesin në fuqi masat aktuale anti-covid. Megjithatë, vlerësimet e situatës epidemiologjike bëhen çdo javë dhe është me rëndësi që këto masa të mbesin në fuqi për të penguar rritjen eksponenciale të rasteve, e cila për fat të mirë pas aplikimit të masave nuk ka ndodhur.”
Në anën tjetër, doktoresha, Dragana Tanashkoviq Petroviq (Dragana Tanasković Petrović), tha gjithashtu për Radio KFOR-in, se është e rëndësishme të mësohemi të jetojmë me këtë virus dhe t’ju përmbahemi rekomandimeve të ekspertëve shëndetësorë: “Ata që kanë simptoma të covid-it, është e rëndësishme t’i njoftojnë mjekët menjëherë. Janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë, sepse sa më shumë që përparon sëmundja, atëherë kalon në pneumoni. Andaj, është e rëndësishme që pacientët të marrin terapinë adekuate. Të jemi të përgjegjshëm për veten dhe të tjerët.”
Ekspertët shëndetësorë kohëve të fundit kanë apeluar që qytetarët të evitojnë edhe tubimet në prag të festave të fundvitit, në mënyrë që të mos kontribuojnë në përhapjen e pandemisë.