Kosova shpesh përmendet si një nga shembujt më domethënës të harmonisë ndërfetare në rajon dhe më gjerë. Në një shoqëri ku bashkëjetojnë besime të ndryshme fetare, respekti reciprok dhe toleranca kanë qenë gjithmonë vlera thelbësore të jetës shoqërore dhe kulturore. Nga data 1 deri më 7 shkurt, në mbarë botën po shënohet ‘Java e Harmonisë Ndërfetare’, një iniciativë e Kombeve të Bashkuara që synon promovimin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës paqësore mes besimeve dhe komuniteteve të ndryshme fetare. Gjatë kësaj jave, në vende të ndryshme organizohen aktivitete të shumta, përfshirë diskutime ndërfetare, takime komunitare, konferenca, ligjërata dhe iniciativa edukative që promovojnë paqen, bashkëjetesën dhe respektin për diversitetin fetar dhe kulturor.
Kjo frymë harmonie ndërfetare e bën Kosovën një shembull pozitiv, duke dëshmuar se bashkëjetesa dhe respekti ndaj dallimeve, janë themel i një shoqërie të shëndetshme dhe të qëndrueshme.







