Kosova po përgatitet për një nga sezonet më të ngarkuara kulturore të viteve të fundit. Mozaiku kulturor i kësaj vere premton të sjellë mijëra vizitorë vendas e të huaj, falë një kalendari të pasur me emra ndërkombëtarë të muzikës elektronike dhe festivale që tashmë janë shndërruar në marka të njohura të rajonit.
Në mesin e ngjarjeve që po tërheqin vëmendjen maksimale është performanca e DJ-it turk me famë botërore, Mahmut Orhan, i cili do të dhurojë një elektro-spektakël nën qiellin e hapur të Prishtinës më 4 korrik. Organizatorët kanë paralajmëruar një megaproduksion, ndërsa eventi ka marrë jehonë edhe në platformën prestigjoze ndërkombëtare Resident Advisor.
Një nga risitë më interesante të këtij sezoni është Nexus Festival, i cili do të shtrihet nga data 23 deri më 25 korrik në peizazhin magjik të maleve të Vitisë. Gjatë tri ditëve me muzikë pa ndërprerje, organizatorët pritet të bëjnë bashkë mbi 21 DJ ndërkombëtarë dhe rreth 10 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës.
Kulmi i sezonit veror pritet të jetë sërish Sunny Hill Festival në Prishtinë. Ngjarja e madhe e themeluar nga Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa që do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht. Si festivali më i madh muzikor në Kosovë, interesi nga publiku rajonal dhe ai ndërkombëtar mbetet jashtëzakonisht i lartë, teksa priten të konfirmohen emrat e yjeve të radhës.
Menjëherë pas kësaj, nga data 7 deri më 15 gusht, vëmendja zhvendoset në Prizren, i cili mirëpret edicionin jubilar të 25-të të DokuFest. Edhe pse në zhanrin e tij parësor është festival i filmit dokumentar, DokuFest është shndërruar ndër vite në një epiqendër të kulturës, duke sjellë koncerte, performanca të fuqishme muzikore dhe një jetë nate që gjallëron qytetin historik deri në agim.
Me këtë ndërthurje perfekte të muzikës elektronike, artit dhe emrave të mëdhenj botërorë, vera e vitit 2026, po e kthen Kosovën në pikën kryesore të kalendarit festiv në Ballkan.
Radio KFOR-i do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar hap pas hapi për të gjitha zhvillimet, artistët e rinj që do të konfirmohen dhe atmosferën elektrizuese nga festivalet më të mëdha të vendit.







