Dashamirët e muzikës kamertale këto ditë po e shfrytëzojnë rastin të shijojnë vepra të bukura të muzikës klasike, përmes edicionit të 19-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “Kosova Kamerfest 2018”, i cili po mbahet në Prishtinë.
Në një pjesë të intervistës që koordinatori i këtij festivali, Taulant Rruci i ka dhënë Radio KFOR-it, ka treguar se edhe këtë vit, programi i festivalit do të jetë i larmishëm:
“Do të mbahen 13 mbrëmje koncertale me program të larmishëm kamertal dhe këtë vit përpos artistëve të njohur pjesëmarrës si “shtyllë” e festivalit, do të jenë edhe emra eminent të artit shqiptar, ku hapësirë të veçantë do të kenë edhe artistët e rinj, laureatët e garave “Arskosova 2018”, Ansambli i violinistëve “ArsKosova” dhe ansambli i klarinetistëve të UP-së”.
Koncerti i sontëm përbëhet nga pianistet Merita Rexha-Tërshana dhe Lirika Puna-Kasapolli, të cilat do të ekzekutojnë veprat e Bethovenit, Shubertit, Faures dhe Dvorakut.
Në këtë festival do të mbahen gjithsej 13 koncerte në dy lokacione të ndryshme në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare dhe në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 20:00 dhe do të zgjasë deri me datën 2 Nëntor të këtij viti.