Pas suksesit të koncertit të parë për sezonin 2024-2025, Kori i Filharmonisë së Kosovës vazhdon me plot dinamikë dhe energji përgatitjet për koncertin e radhës, i cili tashmë ka marrë një rëndësi të veçantë për skenën muzikore në vend.
Sipas njoftimit të bërë publik së fundmi, koncerti do të mbahet më 6 nëntor, 2024 dhe do të udhëhiqet nga violinisti i njohur francez, Frederic Laroque, i cili do të vijë për herë të parë në Prishtinë për të drejtuar këtë ngjarje prestigjioze. Laroque, është një emër i shquar në botën e muzikës klasike, njihet për interpretimet e tij unike dhe për bashkëpunimet e tij me orkestrat më të njohura botërore.
Në këtë koncert të veçantë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të bashkohet me Orkestrën e Operës së Kosovës për të sjellë një program të larmishëm, ku do të interpretohen vepra klasike nga kompozitorët e mëdhenj, si: Antonio Vivaldi, Gioachino Rossini, Wolfgang Amadeus Mozart dhe Georges Bizet. Koncerti do të mbahet më 6 nëntor, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe do të fillojë në orën 19:30.
Me këtë koncert, Filharmonia e Kosovës synon të vazhdojë misionin e saj për të promovuar muzikën klasike dhe për të sjellë në Prishtinë dirigjentë e artistë të njohur ndërkombëtarë, duke e bërë skenën muzikore të Kosovës gjithnjë e më të njohur dhe të respektuar në arenën ndërkombëtare.







