“Kjo konferencë nuk po bohet për qef, po për nevojë”, ky është mendimi që e ndanë kolektivi i organizatorëve të Prishtina Music Conference (PMC), e cila ka filluar shpalosjen e programit qysh nga dita e hënë (11 tetor). Prishtina Music Conference që do të mbahet me datat 3 dhe 4 dhjetor 2021, do të sjellë një laramani aktivitetesh që do të mbahen kryesisht në Kino Armata, e të cilat për Radio KFOR-in i ka shpalosur, znj. Diellza Gosalci nga Rave Travel: “Prishtina Music Conference -PMC është konferenca e parë e muzikës në Kosovë. Temat si “A Lesson on Taste” prezantuar nga ekipa e Kult-Urë sjellin në Prishtinë qytetarin e saj urban, Hedon Blakaj, i cili tani është me titull formal në anglisht, University Lecturer (PhD) në Aalto University në Helsinki të Finlandës. Do të jetë një klasë 45 minutash për teorinë e kërkim-studimit për kulturën e konsumit, si p.sh si ndërron tregu ose shfaqet si konsum ose si një aktivitet i shtyrë nga rrethi. Po ashtu, tema tjetër e shpalosur quhet ‘Ping Pong’, përmes së cilës tregohet se si duhet të veprojmë kundrejt rritjes së muzikës hiper-kapitaliste në botë.”
Siç na njoftoi znj. Gosalci, paneli i diskutimit do sjellë ekspertë ndërkombëtarë, ndër ta edhe Alan Crofton – Drejtor Menaxhues i Kala Festival, Grego O’Halloran – Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Unum Festival, i cili njëherit kontribuon qe 15 vite në industrinë e muzikës elektronike-Ibiza/Spain, Julia Richter- Themluese e Allalonemagazine- Berlin, Germany, etj.
Programi i plotë i Prishtina Music Conference, do të bëhet publik në ditët në vazhdim.