Në kino ‘Lumbardhi’ në Prizren, këtë muaj po vazhdon shfaqja e filmave që trajtojnë tematika mbi gruan në dimensione të ndryshme, me fokus të gruas si nënë. Të mërkurën (19.06.19) duke filluar nga ora 20:30 do të shfaqet filmi i radhës ‘Banoo-Ye Ordibehesht’ (Zonja e Majit), që trajton sfidat me të cilat përballet një nënë vetushqyese. Për të mësuar më shumë për këtë program kushtuar amësisë, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me zyrtarin për komunikim në Kino ‘Lumbardhi’, Edi Gashi, i cili tregoi se cili është qëllimi i këtij programi dhe na dha detaje të tjera:
“Programi i filmit ‘Amësia’, ka filluar në muajin qershor dhe përfundon në fund të këtij muaji. Ky program është vazhdimësi e programve tjera ku në secilin muaj kemi shfaqur një temë specifike të filmave. Këtë muaj vendosëm për temën e amësisë me përzgjedhje prej 10 filmave nga zhanre të ndryshme që paraqesin amësine”, tregoi Edi.
Z. Edi tha gjithashtu se interesimi është shumë i madh për të parë këta filma dhe ky program është mbështetur nga programi ‘Kultura për ndryshim’ që financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga qendra ‘Multimedia’ dhe se po ky program do të vazhdoj deri me 26 qershor të këtij viti, ndërkaq hyrja për të interesuarit është pa pagesë.