Me shfaqjen e shumë filmave dhe organizimin e aktiviteteve të tjera do të karakterizohet programi i javës së fundit të muajit shkurt, në Kinema “Jusuf Gërvalla”, në Pejë.
Ky program sot, 25 shkurt, do të shoqërohet nga shfaqja e filmave nga java e kinematografisë afrikane. Koordinatorja për komunikim dhe media në “Anibar”, Leonora Aliu, për Radio KFOR-in tregoi se cili është qëllimi i shfaqjes së këtyre filmave: “Kjo nismë për qëllim kryesor ka pasur ofrimin e aspektit kinematografiko-social të këtij kontinenti në kinemanë dhe shoqërinë tonë. Shfaqja e këtyre filmave është mundësuar nga IF Cinema dhe Ambasada Franceze në Kosovë. Për çdo javë të muajit shkurt, filmat nga kinematografia afrikane janë shfaqur nga tre filma brenda një dite, në orare të ndryshme. Ndër filmat që kemi shfaqur në kuadër të këtij programi janë filmat: “Dem Dem”, “Timbuktu”, “Jimmy Goes to Nollywood”, “Cabascabo”, “Ntarabana”, “Lamb”, “Talking About Trees”, “Nofinofy”, “Mama Colondel” dhe “Mapantsula”.”
Përveç filmave afrikanë, këtë javë në Kinema “Jusuf Gërvalla” do të shfaqen edhe filma vendor, ndërsa aktivitetet e muajit shkurt do të përmbyllen më 29 shkurt, me një aktivitet që parasheh bashkëlexim dhe diskutim në Klubin e Kinemasë.
Znj. Aliu gjithashtu njoftoi se ky program do të vazhdojë edhe përgjatë muajve në vijim, derisa shtoi se dyert e kësaj kinemaje janë të hapura çdo ditë, për secilën moshë:“Në muajin mars mund të konfirmojmë tani se do i shfaqim edhe katër filma të regjisorit Bekim Ugzmajli si dhe do të kemi shumë filma e aktivitete tjera. Përgjatë muajit shkurt kemi organizuar edhe disa koncerte siç ishin ato me “Gipsy Groove”, “Techo Las Mias” si dhe koncerti me artistët local, Pajtim Pasha dhe Burim Gora, nga Peja, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian. Përveç këtyre aktiviteteve, vlen të përmenden aktivitetet me Klubin e Kinemasë, që është klub i leximit dhe filmit, i themeluar në fund të vitit të kaluar. Aktivitet ky që poashtu mbështetet nga projekti “Hapësirat Kulturore të Kosovës. Përmes punës dhe angazhimit të Anibar, Kinemaja “Jusuf Gërvalla” po frymon ndryshe, po kthehet aty ku duhet ta ketë vendin, në funksionim të qytetarëve, jo vetëm të Pejës por të gjithë atyre që e konsiderojnë veten qytetarë të një bote ku dominon gatishmëria qytetare dhe aktivizmi shoqëror.”