Kino “Jusuf Gërvalla”, ka nisur një seri të re të diskutimeve publike, të cilat do të quhen diskutimet ‘Agora’. Në kuadër të këtyre diskutimeve, një nga eventet që do të mbahet nesër (27 qershor), është titulluar “Permakultura Urbane”.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin e ‘Anibarit’, njëkohësisht menaxher në Kino ‘Jusuf Gërvalla’, Vullnet Sanaja, i cili ka bërë të ditur arsyen e organizimit të këtyre diskutimeve publike: “Kjo seri e parë e këtyre diskutimeve do të ketë si nëntitull ‘Rimendimin e një normaliteti të ri’, kjo është bërë me qëllim të situatës që është krijuar nga ‘Covid – 19’ dhe kjo seri e diskutimeve ka për qëllim që me diskutu për alternativa të ndryshme për mbijetesën e njerëzve dhe se si mund të ndryshojmë gjërat që bëjmë në përditshmëri, duke përfshirë këtu edhe mënyrën se si ushqehemi, si edukohemi, si informohemi etj. Kjo seri e diskutimeve do të ketë tema të ndryshme, një nga të cilat do të jetë edhe ‘Permakultura Urbane’, të cilën do ta diskutojmë nesër në një event që do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e Facebookut të Kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’, ku mund të na ndjekin të gjithë të interesuarit. Do të kemi dy të ftuar: aktivistin mjedisor, Granit Gashin dhe drejtorin e Fondacionit Jeshil, Xhevdet Gegollajn. Nesër, do të flasim për mundësitë që i kemi si komunitet për t’i adaptuar format e permakulturës, por gjithashtu do të diskutojmë edhe për mundësitë që kjo të jetë një lëmi që adaptohet nga shkollat.”
Kjo ngjarje mundësohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës”, që implementohet nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon.