Nga sot (02.09.2019), në kino “ARMATA” fillon një cikël i ri i planprogramit, i cili është quajtur ‘WE ARE HORROR’, pasi siç na tregoi drejtori i kinos, Alush Gashi, përgjatë javës do të shfaqen filma horror:
“Prej sot , 2 shtator, fillon një cikël, një vazhdimësi e asaj që ka bërë Kino tash e 12 vite e disa muaj të funksionimit të saj. Si veçori e kësaj jave do të jenë programet të cilat transmetohen qofshin ato filmike, muzikore apo diçka tjetër, të cilat do të kenë një koherencë pak më të madhe . Java e parë është një program i filmave horror, ku janë disa prej filmave më të rëndësishme të këtij zhanri në 50 vitet e fundit, si : Dementia 13, Carnival of Souls dhe The Last Man on Earth.”
Pjesë e kësaj jave është edhe “Play : Play : Play” që është një program i organizuar dhe i kuruar nga studentët e ‘Universitetit të Cyrihut- Departamenti i Arteve’ të cilët janë në një vizitë studimore në Kosovë. Ata të premten më 6 shtator do të shfaqin filmat të cilët janë të prodhuar në ‘Universitetin e Cyrihut’ ,si dhe do të mbahet edhe një mini-ekspozitë gjithëditore, ku njëri nga studentët do të bëjë edhe tatuazhe për të gjithë të interesuarit.