Kino ‘ARMATA’ në Prishinë, është bërë pjesë e kremtimit të kinemave nga e mbarë bota për ‘Njëqindvjetorin e Ingmar Bergman’. Sonte, 13 dhjetor, me fillim nga ora 19:00, nisë rrugëtimi gjithëjavor i shfaqjes së filmave të regjisorit Ingmar Bergman, ngjarje kjo për të cilët drejtori i Kino ‘ARMATA’, Alush Gashi, për Radio KFOR-in tha: “Sonte fillon një cikël retrospektiv i filmave të Ingmar Bergman, që është një ndër regjisorët më të njohur botëror për të cilin që nga viti 2018 është duke u shënuar 100 vjetori i lindjes së tij. Do të shfaqen gjithsej tetë filma, ndërsa mbrëmjen do të hapim me filimin “Wild Strawberries”, për të vazhduar javën tjetër edhe me 7-të filma të tjerë. Ditën e martë, më 17 dhjetor pas shfaqjes së filmit “Persona”, që është një nga filmat më të rëndësishëm të Bergman, do të ketë edhe një bisedë me regjisoren Lendita Zeqiraj dhe drejtorin artistik të ‘DokuFest-it” Veton Nurkollari. Jemi shumë të kënaqur që po e jetësojmë këtë ngjarje, që njëherit është më e madhja në Kino ‘ARMATA’ dhe të cilën jemi duke e organizuar që nga muaji prill.”
Filmat e Ingmar Bergman që do të shfaqen në Kino ‘ARMATA’, do të jenë të terminit të njejtë nga ora 19:00, perveç datës 19 dhjetor kur filmi “Fanny And Alexander” do të shfaqet prej orës 18:00.
Ndryshe, Ernst Ingmar Bergman, i lindur më 14 korrik 1918 në Uppsala, ishte regjisor suedez i filmit dhe teatrit, tekstshkrues, menaxhues teatri, dramaturg dhe autor. Që nga viti 2018, në mbarë botën ka filluar kremitmi për 100 vjetorin e lindjes së Ingmar Bergman.