Për të kontribuar në masat e parandalimit dhe mbrojtjes nga përhapja e virusit COVID-19, Kontingjenti Polak i KFOR-it, dje (22 maj) dhuroi pajisje mbrojtëse ndaj virusit COVID-19 për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me këtë rast Komandanti i Kontingjentit Polak që vepron në kuadër të KFOR-it në Kosovë, Nënkoloneli, Artur Swiatek, tha: “ Me iniciativën e Qeverisë dhe Presidentit tonë, është vendosur që të ndihmohet popullata e Kosovës në këtë situatë të vështirë, prandaj edhe ne duhet ta ndihmojmë Kosovën në këtë situatë të vështirë. Ne kemi sjellë 50 mijë maska mbrojtëse dhe 1 mijë litra dezinfektues. Me këtë rast unë jam shumë i lumtur, sepse është mirë t’i ndihmosh njerëzit në nevojë e sidomos në një gjendje që është e vështirë për të gjithë.”
Pas pranimit të këtij donacioni, farmacisti përgjegjës në Barnatoren Qendrore në QKUK, Erblin Elezi, theksoi se kjo ndihmë është shumë e qëlluar dhe shumë e nevojshme, sepse janë dy produkte që gjenden me vështirësi: “Edhe sot, ne kemi pranuar dy produkte shumë të domosdoshme në kuadër të luftës ndaj virusit ‘COVID-19’. Ardhja e këtij donacioni sot, është shumë domethënës për ne. Nuk është hera e parë që ne pranojmë donacion nga KFOR-i. Jemi shumë falënderues dhe ne inkurajojmë që këto projekte të vazhdojnë dhe uroj që ky bashkëpunim të zgjasë edhe më shumë.”
Përveç ofrimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, KFOR-i është duke kontribuar edhe me dhurimin e donacioneve shëndetësore, si masë parandaluese dhe mbrojtëse nga përhapja e virusit ‘COVID-19’.