Sot (01.04.21), Ekipi Italian CIMIC (Bashkëpunimi Civil-Ushtarak KFOR) dhuroi 10 gjeneratorë oksigjeni në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Adem Berisha” në Dragash, një donacion shumë i nevojshëm, sidomos tani kur numri i njerëzve të infektuar me CoViD-19, është duke u rritur.
Gjatë dorëzimit të këtij donacioni, kreu i CIMIC-ut italian, togeri Adriano Ricco, për Radio KFOR-in u shpreh:“Sot ne po dhurojmë 10 prodhues të oksigjenit për popullatën lokale, që do ju gjendet në këtë periudhë të pandemisë. Pra, ne jemi këtu për të ndihmuar të gjithë njerëzit e Kosovë,s pa dallim dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen.”
Gjatë marrjes së donacionit të lartpërmendur, drejtori i QKMF “Adem Berisha” në Dragash, Dr. Ramadan Jashari, shprehu mirënjohjen e tij: “Ky kontribut i dhuruar nga KFOR-i, është shumë i mirëpritur, sepse ne do t’i shpërndajmë ata prodhues të oksigjenit edhe në klinikat më të largëta të Mjekësisë Familjare rurale, të cilat ndodhen në fshatrat e izoluar të Komunës sonë.”
Përmes këtij donacioni dhe shumë aktiviteteve të tjera të kryera nga CIMIC-u në të gjithë Kosovën, KFOR-i po e dëshmon përkushtimin dhe mbështetjen për popullin dhe institucionet e Kosovës, posaçërisht duke u përqendruar në sistemin e kujdesit shëndetësor.