Me qëllim të ofrimit të kushteve sa më të mira për mbi 40 mijë banorët e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Komunën e Klinës, CIMIC-u (Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak i KFOR-it), sot (29 dhjetor), dhuroi pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë”, në Klinë.
Sot, CIMIC-u dhuroi dy defibrilatues, të cilët do të lehtësojnë punën e stafit mjekësor dhe njëkohësisht do të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve të njerëzve.
Lidhur me këtë donacion, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë” në Klinë, Dr. Anton Shllaku, për Radio KFOR-in tha: “Kemi përfituar një donacion shumë të rëndësishëm për shëndetin e banorëve të Klinës. Dy defibrilator, një mobil dhe një statik, të cilët do të jenë në shërbim të të gjithë banorëve të Komunës së Klinës. Ne nuk kemi pasur aparaturë të tillë, prandaj kjo është dhurata më e mirë për fundvit.”
Me këtë rast, shefi i CIMiC-ut pranë Komandës Regjionale – Perëndim, Togeri – Davide Cottone, për Radio KFOR-in tregoi për qëllimin e këtij donacioni si dhe në fund dha edhe një mesazh për fundvit: “Sot kemi sjellë një donacion, dy defibrilatues të cilët do të jenë në favor të qytetarëve të Klinës dhe natyrisht dëshira ime është që të mos kemi pandemi gjatë vitit 2021 dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës ju uroj një vit të mbarë.”
Donacioni i sotëm i dhuruar nga CIMIC-u, do të ndikoj në mirëqenien e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Komunën e Klinës.