Ushtarët e nacionaliteteve të ndryshme, të cilët i shërbejnë misionit të KFOR-it në Kosovë, po vazhdojnë realizimin e projekteve të shumta për mirëqenien e qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Projekti i realizuar së fundi, është nga kontigjenti danez i KFOR-it, të cilët muajin e kaluar organizuan marshin “Dancon March”, paratë e fituara nga i cili janë të destinuara për fëmijë të shkollave fillore të komunitetit shqiptar dhe atij serb në Kosovë. Se sa është shuma e parave që kanë arritur t’i mbledhin dhe në çka do t’i shpenzojnë ato, për Radio KFOR-in ka treguar ushtari danez, Glen Poulsen, i cili këtë vit fitoi edhe vendin e parë në “Dancon March”:
“Ndihem shumë mirënjohës. Atmosfera në këtë ngjarje është krejtësisht ndryshe nga ngjarje të tjera. Kur je duke vrapuar dhe ndjen dhimbje në trup, arrin ta ndjesh edhe atmosferën për rreth. Të gjithë brohorisin pasi njerëzit e dijnë se paratë e tubuara do të destinohen për projekte të mira, gjë që iu shtynë të vazhdoni vrapin në marsh. Momentalisht, jemi duke vendosur se cilat shkolla do të përfitojnë nga ky donacion, i cili përfshinë xhaketa të dimrit, kapela dhe dorëza. Të gjithë këto do t’iu shpërndahen fëmijëve nga komuniteti shqiptar dhe ai serb”, tha Poulsen.
Projekti ka filluar të jetësohet në paralelën e ndarë të shkollës fillore “Ali Kelmendi” në Studime të Epërme, të komunës së Vushtrrisë.
Të buzëqeshur e të lumtur, padyshim që ishin fëmijët të cilëve u shpërndanë dhuratat në fjalë:
“Une quhem Fatjeta Kasumi. Jam e lumtur sepse KFOR-i na kanë sjellë (pru) veshmbathje, kapela, dorëza dhe jakne.” “Unë quhem Ensar Gërguri. Jam i lumtur që KFOR-i na ka sjellë veshmbathje, kapela, jakne dhe dorëza. I falënderoj me gjithë zemër.”
Drejtoresha e shkollës “Sveti Sava” në Grace, Radojka Markovic ishte jashtëzakonisht mirënjohës ndaj KFOR-it për këtë donacion:
“Unë vërtetë falënderoj KFOR-in. Ky është donacioni i parë që kur u emërova si drejtoreshë në këtë shkollë. Të gjithë disi na kanë anashkaluar deri më tani, por ju jeni ata që i keni kushtuar vëmendje kësaj shkolle dhe nxënësve të kësaj shkolle. Unë vetëm mund të falënderoj KFOR-in për bashkëpunimin që kemi me ta.”
Së bashku me përfaqësuesit e KFOR-it, drejtori i arsimit në komunën e Vushtrrisë, Afrim Namani ishte gjithashtu i pranishëm dhe ai shprehu mirënjohje për punën e KFOR-it:
“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi të falënderoj, në cilësinë e drejtorit komunal dhe kësaj shkolle, për të gjithë veprimtarinë e KFOR-it, jo vetëm për misionin parësor që ata kanë për çështjen e sigurisë, por sot, aktivitetet e kësaj dite janë një dëshmi tjetër që ata gjithashtu janë të përkushtuar për promovimin e mirëqenies në përgjithësi.”