Ditët e fundit të muajit dhjetor, na kujtojnë atmosferën festive me të cilën jemi mësuar në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Këtë vit, kjo atmosferë festive është më e zymtë, për shkak të pandemisë ‘CoViD-19’, me të cilën po vazhdon përballjen mbarë bota. Për t’i kaluar Krishtlindjet sa më sigurt, ekspertët shëndetësor kanë rekomanduar që të shmangen udhëtimet e panevojshme, festat të organizohen vetëm me rrethin e ngushtë familjar, të shmangen maksimalisht vizitat tek miqtë dhe të respektohen në përpikëri masat parandaluese, si distanca fizike, bartja e maskës dhe higjiena personale.
Për ta ngritur vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e kalimit të festave të fundvitit në shtëpi, duke u kujdesur për shëndetin e familjarëve, Ministria e Shëndetësisë ka lansuar fushatën ‘Festo n’shtëpi’. Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Faik Hoti, për Radio KFOR-in ka treguar se kush është bërë pjesë e kësaj fushate: “Fushata ka nisur ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe asaj i janë bashkuar figura të larta të misioneve diplomatike dhe paqeruajtëse në Kosovë, si Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori, Franco Federici; Ambasadori amerikan, Philip Kosnett; Ambasadori gjerman, Jorn Rohde; Ambasadorja franceze, Marie Christine Butel, Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyok; Ambasadori Jan Braathu, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë dhe figura të tjera. Fushata do të zgjas deri në përfundim të festave në janar 2021, për t’u pasuar me fushata të tjera, të cilat do të kenë për qëllim ndërgjegjësimin e popullatës për të vazhduar zbatimin e masave mbrojtëse dhe për t’u përgatitur për vaksinimin kundër Covid-19, në kohën kur vaksina do të jetë e qasshme edhe për popullatën në Kosovë.”
Në lidhje me mesazhin që përçon fushata, Dr. Hoti, shtoi: “Duke festuar në shtëpi, ne kemi mundësi të ndajmë momentet festive me familjarët tanë dhe i mbrojmë ata, ndërsa duke shmangur pjesëmarrjen në organizime të rrezikshme, i japim më shumë mundësi ruajtjes së shëndetit e më pak shanse virusit. Sa më shumë kujdes që tregojnë qytetarët, aq më shumë frymëmarrje do të ketë në spitalet tona.”