Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka caktuar 26 qershorin si “Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Drogë dhe Trafikimit të Paligjshëm”. Kjo ditë ka për qëllim vetëdijesimin për problemet që paraqesin substancat narkotike për shoqërinë në përgjithësi.
Qendra “Labrint”, që është e shtrirë në disa qytete në vendin tonë, është një nga qendrat që merret me parandalimin e abuzimit të drogave dhe alkoolit, trajtimin e varësisë nga drogat dhe alkooli, si dhe zvogëlimin e dëmeve që lidhen me injektimin e drogave. Radio KFOR-i ka intervistuar punëtorin social në “Labirint”, Shkëlqim Limanin, i cili për shënimin e kësaj dite, na shpalosi shifra të personave që abuzojnë me substanca narkotike: “Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 200 milion persona e përdorin drogën të paktë një herë në vit. Çdo vit 200 mijë persona vdesin nga sëmundje të cilat janë të shkaktuara nga përdorimi i drogave. Edhe Kosova është e prekur nga ky fenomen i cili është prezent dhe paraqet problemet e tij. Studimet dhe puna jonë disavjeçare në këtë fushë, na tregon që numri i personave që kanë përdorur të paktë një herë substance psikoaktive të paligjshme, varion mbi 30 mijë persona në vendin tonë, ndërsa numri i personave që kanë pasur probleme si pasojë e përdorimit dhe abuzimit me substanca narkotike në të gjithë vendin, është mbi 5 mijë persona. Edhe pse Kosova shquhet më shumë si vend tranzitor në trafikimin e paligjshëm të drogave, një numër i konsiderueshëm i të rinjve janë të prekur nga abuzimi me drogën, ndërsa shqetësuese është mosha e re e prekur nga kjo dukuri.”
Në shënimin e “Ditës Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Drogë dhe Trafikimit të Paligjshëm”, z. Limani ka një mesazh për të rinjtë: “Në këtë ditë i inkurajojmë të gjithë personat që abuzojnë me droga dhe familjet e tyre që janë si pala e parë që ndikohen nga abuzimi i drogave, të informohen mbi rreziqet dhe pasojat që mund t’i shkaktojnë vetes, të kontaktojnë çdo institucion që ofron shërbime në ndihmë për trajtimin e kësaj problematike, t’i lënë anash paragjykimet dhe të luftojnë për ta fituar betejën kundër drogës.”
Të pranosh që ke një problem me substanca narkotike, është hap i parë në rrugën drejt shërimit. Ai që merr guxim dhe forcë për tu përballur me këtë problem, pa minimizuar çështjen ose bërjen e justifikimeve, mund të ketë një ndjenjë të frikës dhe ndjenjë dërrmuese, por shërimi është i mundshëm. Nëse jeni gati të kërkoni ndihmë, mund të kapërceni varësinë tuaj dhe të ndërtoni një jetë të kënaqshme dhe të shëndoshë pa substanca narkotike.