Data e sotme, 23 qershori, është njohur nga Kombet e Bashkuara si “Dita Ndërkombëtare e Vejave”, qysh nga viti 2011. Kjo ditë ka për qëllim që të rrisë vetëdijen për ‘varfërinë dhe padrejtësinë’, me të cilën përballen të vejat, kudo në botë. Sipas Kombeve të Bashkuara, 2021-ta i gjen të vejat në një pozitë shumë më të vështirë, kjo edhe për shkak të pandemisë së shkaktuar nga CoViD-19. Përvoja nga pandemitë e kaluara, për shembull HIV / AIDS dhe Ebola, tregon se të vejave shpesh u mohohen të drejtat e trashëgimisë, u merret prona pas vdekjes së një partneri dhe mund të përballen me stigmatizim dhe diskriminim ekstrem.
“Dita Ndërkombëtare e Vejave” shpalos disa nga çështjet që prekin të vejat në të gjithë botën dhe çfarë duhet të bëhet për të mbrojtur dhe përparuar të drejtën e tyre, ndërsa në këtë ditë Kombet e Bashkuara edhe një herë kërkojnë na qeveritë e të gjitha vendeve të botës, që të ndërmarrin veprime për të mbështetur zotimet e tyre, për të siguruar të drejtat e grave të veja të parashikuara në të drejtën ndërkombëtare, përfshirë Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.