Sot rubrika “Artis of the day”, i është rezervuar një artisti që ka thyer shumë rekorde në moshë shumë të re. Bëhet fjalë për 25 vjeçarin, Justin Bieber, i cili qysh në moshë të re preku majat e suksesit në skenën botërore të muzikës. Bieber, është artisti i parë solo, që arriti të ketë top 40 këngë të suksesshme, para se të lansonte album. Është artisti që në moshën më të re arriti që të ketë 5 albume, ndër më të shiturat në Amerikë. I lindur më 1 mars 1994 në Ontario të Kanadasë, Justin Bieber, u rrit vetëm nga nëna e tij dhe si i vogël kishte interes për muzikën. E gjithë fama e tij nisi rastësisht në kanalin YouTube, ku nëna e tij postonte video teksa ai këndonte këngë të artistëve të ndryshëm si Stevie Wonder, Michael Jackson, Neyo dhe të tjerë. Pas disa muajve ai pushtoi Internetin duke bërë miliona fansa dhe kështu filloi të shndërrohej në një yll në Internet. Ky sukses bëri që Justin, të aranzhoj një menaxher dhe të fluturojë drejt Atlantës, për të arritur marrëveshje rreth lansimit të këngëve.
Albumin e tij të parë Justin Bieber, e titulloi ‘’My World”, i cili rezultoi shumë i suksesshëm, duke shitur mbi 137 mijë kopje, vetëm në javën e parë të lansimit. Ndërsa, kënga e tij‘’One Time’’, u bë një hit në Kanadë, menjëherë pas debutimit në treg, kurse kënga “Baby”, arriti që të hyj në top 10-shën e këngëve më të dëgjuara në Billboard. Për një kohë të shkurtër Justin Bieber erdhi me albumin tjetër “My World 2.0”, me të cilin iu ofroi fansave të tij 10 këngë të reja. Më 2012, albumi i radhës “Believe”, arriti shitje rreth 370 mijë kopje, vetëm në javën e parë të lansimit të albumit. Në të njëjtin vit, Bieber solli edhe albumin “Journals”, suksesi i të cilit e dëshpëroi këngëtarin. “Purpose” titullohet albumi tjetër që artisti lansoi më 2015-ën, me të cilin kishte bërë rikthim të fuqishëm në skenë. Ky u bë albumi i pestë i këngëtarit që theu rekordet e shitjes në SHBA.
Justin Bieber u bë një figurë publike përtej muzikës. Ai u përfshi në botën e modës duke u bërë imazhi i Calvin Klein, ndërsa realizoi edhe dokumentarin “Never Say Never”, në vitin 2011. Filmi i tij, i cili arriti mbi 73 milionë dollarë në box office, kishte edhe mysafir të tjerë si Kanye West, Miley Cyrus dhe Usher. Bieber nuk arriti të qëndronte larg skandaleve. Vite më parë, ai u akuzua se ishte babai i fëmijës së një fanseje: Mariah Yeater. Bieber, shpeshherë u kritikua edhe për zhurmën që krijonte në shtëpi apo tejkalimin e shpejtësisë me makinë, gjithashtu është parë disa herë duke konsumuar edhe marihuan. Për fat të keq, Bieber, pati përvojë të hidhur me shëndetin vitin e kaluar, pas diagnostikimit me sëmundjen “Lyme”, një infeksion bakterial. Ai kishte shpërndarë menjëherë lajmin për sëmundjen, me qëllim që të hedh spekulimet se fiziku i tij nuk dukej aq mirë për shkak të marihuanës.
Tani jemi në vitin 2020 dhe pikërisht në muajin shkurt të këtij viti, 25 vjeçari u bë artisti më i mirë, i cili pati shtatë albume që kanë arritur në krye të top listave “Hot Billboard 200”, rekord të cilin dikur e mbante në atë kohë, vetëm këngëtari, Elvis Presley, në moshën 26 vjeçare.