Java që po e lëmë pas, ka pasur agjendë të ngjeshur teknologjike. E fillojmë me Xiaomi, kompani e cila ka shkruar ‘histori’ në Evropë kur ia ka marr liderin e shitjeve të telefonave të mençur gjigandit tjetër, Samsung. Rritja e shitjeve në 12 muajt e fundit i ka lejuar Xiaomit të dërgojë 12.7 milionë telefona në të gjithë Evropën në tremujorin e dytë të vitit 2021, duke marr kështu 25,3% të tregut të telefonave mobil në Evropë.
Italia na befasoi me hiper-veturën elektrike e cila për 2 sekonda arrinë shpejtësinë 100 km. Është kompania italiane Pininfarina, e cila njoftoi se më 12 gusht në ngjarjen “The Quail”, që do të mbahet në Amerikë, do të prezantojë veturën e re elektrike në versionin GT. Battista do të prodhohet në seri të kufizuar prej vetëm 150 njësive, ndërsa çmimi i saj fillon nga 2.6 milionë dollarë (rreth 2.2 milionë euro). Sa i përket motorit, Battista vjen me katër motorë elektrikë e kapacitet në total prej 1900 kuajfuqi, gjë që është e mjaftueshme që shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë ta arrijë për vetëm 2 sekonda dhe atë maksimale deri në 350 km/orë. Kur jemi tek veturat elektrike, SHBA-të kanë për objektiv që gjysma e makinave të shitura deri në 2030-ën të jenë elektrike. Sipas një axhende kombëtare për adoptimin e makinave elektrike, SHBA kërkon që 40-50% e makinave të shitura në 2030-ën të jenë elektrike.
Kur jemi tek veturat, mbi 10 mijë njerëz humbin jetën që çdo vit në Shtetet e Bashkuara për shkak të ngasjes së makinës në gjendje të dehur, mirëpo me shpikjen e re, kjo shifër e lartë pritet që të zvogëlohet në mënyrë drastike. Një parametër i ri sigurie që po zhvillohet për makinat, përdorë ajrin dhe sensorë me prekje për të matur nivelin e alkoolit në gjakun e shoferit. Nëse rezulton mbi nivelin e lejuar me ligj, makina nuk do të niset. Programi i quajtur DADSS tashmë gëzon mbështetjen e disa kompanive kryesore të prodhimit të automjeteve ndërkohë Virginia u bë shteti i parë amerikan ku u testua sensori për frymëmarrjen dhe u mblodhën reagime nga pjesëmarrësit.