Nga viti 2027, duket që pushimet do t’i kalojmë në hapësirë. Kjo falë hotelit të parë në hapësirë që pritet të bëhet realitet. Ka qenë viti 2019, kur kompania amerikane “The Gateway Foundation”, planifikoi për herë të parë idenë e krijimit të një hoteli në stilin e anijes hapësinore, që do të qëndronte mbi atmosferën e Tokës. Kjo ide pritet të jetësohet në vitin 2027, atëherë kur do të nderohet hoteli në hapësirë, i cili do të përbëhet nga 24 module që përbëjnë një rrotë gjigante me diametër 190 metër, që rrotullohet rreth Tokës.
Kur jemi tek hapësira, ajo që bëri bujë sa i përket lajmeve teknologjike javën që sapo e kemi lënë pas, është ‘dështimi’ i uljes së raketës ‘Starship’.
Ishte kompania ‘SpaceX’, që kreu një fluturim provë me raketën e saj ‘Starship’ dhe kur gjithçka dukej se po shkonte mirë në procesin e uljes së raketës, ajo shpërtheu pak para uljes në tokë. Sipas Musk, kjo ndoshta kishte ndodhur meqë motorët mund të mos kenë pasur shtytje të mjaftueshme të furnizimit me helium.
Kompania tjetër e Elon Musk, ‘Tesla’ ka paralajmëruar realizimin e projektit të ruajtjes apo magazinimit të energjisë elektrike 100 MW. Ky projekt do të shtrihet në Teksas dhe kur të përfundojë, instalimi i 100 MW do të jetë në gjendje të furnizojë me energji elektrike përafërsisht rreth 20.000 shtëpi.
‘Rreziku online’ sërish është kthyer në qendër të vëmendjes këtë javë, kur një sondazh nga kompania e sigurisë ‘Zimperium’, zbuloi se 18.000 aplikacione për Android dhe iPhone (iOS), po ekspozojnë të dhënat e përdoruesve të tyre, për shkak të problemeve me cilësimet e ruajtjes së të dhënave në iCloud.