Arti në vend vazhdon të gjallërohet çdo ditë e më shumë, e rrjedhimisht artdashësit vazhdojnë të kenë adresa të ndryshme artistike për të përmbushur kërkesat dhe preferencat e tyre. Në vijim sjellim një rezyme të disa prej ngjarjeve kulturore që ju presin gjatë ditëve në vijim:
– Në prag të mbylljes së ekspozitës kolektive “Hijet e Bardha”, sot (16 janar), nga ora 18:00, në ambientet e “Galerisë Qahili”, do të zhvillohet takimi i radhës me artistët pjesëmarrës. Kjo ngjarje mirëpret të gjithë të interesuarit për tu takuar me artistë, për të shkëmbyer biseda rreth punimeve të ekspozuara, për të ndarë përvoja me njëri-tjetrin si dhe për të pasur mundësi për planifikime e bashkëpunime të ardhshme. Takimi është i hapur për publikun dhe do të përcillet edhe me një koktej.
– Hapësira publike në Prishtinë që promovon kulturë alternative dhe dialog shoqëror, Kino ARMATA, realizon bashkëpunimin e radhës me Alliance Française de Pristina, Ambasadën e Francës në Kosovë dhe IF Cinema, në shfaqjen e disa prej punëve më të rëndësishme dhe relevante të autorëve francez, para publikut të Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi. Të mërkurën e 17 janarit, në ora 19:00, do të shfaqet “Full Time”, një dramë kjo franceze e vitit 2021 me skenar dhe regji nga Éric Gravel.
– Më 19 janar, Galeria Kombëtare e Kosovës ju fton në ekspozitën “Dita Natë, Nata Vjet” e kolektivit HAVEIT, kuruar nga Lulzim Zeqiri. Ekspozita “Dita Natë, Nata Vjet” si qasje konceptuale dhe synon të hulumtojë më thellë natyrën e njeriut në kohë dhe në hapësirë të caktuar.