Sot në kinemanë e kryeqytetit ‘Armata’, fillon ‘Java e filmit francez’, saktësisht do të shfaqen filmat kryesisht me regji nga regjisorë të famshëm francez.
Filmat që do të shfaqen janë në gjuhën franceze dhe qëllimi është që të njoftojnë publikun Kosovar, me punën kinematografike franceze.
Drejtori i kino ‘Armata’, Alush Gashi në një bashkëbisedim me Radio KFOR-in, tregoi për këtë seri të filmave francez në kinemanë që ai drejton:
“Prej shtatorit, filmat e Jean-Pierre Melville, François Truffaut, Jean-Luc Godard, etj do të kenë shfaqje të rregullta gjatë serisë programore ‘101’, në Kino ARMATA. Në kuptim si akademik ashtu edhe joformal, 101 përcakton faktet bazike të lidhura me një fushë ose çështje të caktuar. Gjatë ‘101’, ARMATA shndërrohet në fushë mësimi për fillestarë dhe entuziastë, duke ofruar këndvështrim të freskët mbi disa prej filmave dhe autorëve më me ndikim të kohës sonë”, tregoi Gashi.
Të gjitha filmat do të shfaqen në gjuhën franceze deri me 6 shtator.
Filmat do të jenë me titra në gjuhën angleze dhe hyrja është falas. Ky organizim është mbështetur nga ‘Alliance Française de Pristina’ dhe Ambasada e Francës në Kosovë.