Aktiviteti i radhës i “Javës së Kombeve të Bashkuara”, që ia vlen të theksohet është data 24 Tetor ‘Dita e Kombeve të Bashkuara’, e cila shënohet që nga viti 1948.
Pjesë e ”Javës së Kombeve të Bashkuara”, e cila zgjat nga data 20 deri më 26 tetor, është edhe “Orange Day” (Dita e Portokalltë), e cila shënohet më 25 tetor me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe ndërmarrjes së veprimeve për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.
“Dita e Portokallit” i bën thirrje shoqërisë civile, qeverive dhe partnerëve të OKB-së për të mobilizuar njerëzit dhe për të nxjerrë në pah çështjet që lidhen me parandalimin dhe përfundimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, jo vetëm një herë në vit, por kjo ditë të shënohet çdo muaj të vitit.
Ndërgjegjësimi i njerëzve për pasojat që sjell dhuna, organizohen gjithandej në botë duke përfshirë edhe Kosovën. Policia e Kosovës së fundi organizoi edhe hapjen e fushatës “Dhuna nuk arsyetohet”. Ekipi i Radio KFOR-it ishte në këtë aktivitet dhe intervistoi Kapitenen, Tahire Haxholli, udhëheqëse e Sektorit për Parandalimin e Dhunës në Familje si dhe Keqtrajtimin e Fëmijëve, në nivel të Kosovës, e cila pati një porosi për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it: “Të gjithë ata që kanë njoftim edhe nxënësit, edhe arsimtarët, edhe punëtorët shëndetësorë, të gjithë duhet të raportojnë kur kanë njohuri për dhunën, duhet ta raportojnë në Polici, në Prokurori apo në ndonjë institucion tjetër relevant. Të gjitha këto institucione ju ofrojnë mbrojtje dhe siguri viktimave e po ashtu edhe dëshmitarëve dhe gjithë personave të tjerë. “