Për të dhjetin vit me radhë, po shënohet “Java e Edukimit Global mbi Median dhe Informacionin”, që është organizim nën ombrellën e UNESCO-s. Për shënimin e kësaj javë, Radio KFOR-i i ka realizuar një intervistë me profesoreshën e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin Publik të Prishtinës, Remzie Shahini-Hoxhaj, e cila tha: “Ne si Departament i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, kemi filluar që t’i bashkohemi kësaj jave që nga viti 2019, për shkak të një projekti që e kemi realizuar së bashku me UNESCO-n dhe që nga ai vit, ne e kemi vazhduar këtë traditë. Kjo javë shënohet për të vënë në pah rëndësinë që ka edukimi medial dhe për rëndësinë të cilën po vazhdon ta ketë çdo ditë e më shumë. Me këtë hov të zhvillimit teknologjik, mediat sot janë pjesë e pandashme e përditshmërisë tonë, në komunikimin tonë të përditshëm dhe rëndësia është në vetëdijesimin e popullatës, për përparësitë dhe të metat që kanë mediat por edhe dobitë që sjellin ato në jetën tonë të përditshme. Ne si Departament i Gazetarisë, këtë vit kemi synuar që të bëjmë diçka tjetër në krahasim me vitet e shkuara, do të organizojmë ligjërata publike në shkolla të ndryshme në Kosovë, në mënyrë që t’i vetëdijesojmë të rinjtë dhe mësimdhënësit, për rëndësinë e futjes së lëndës së edukimit medial në shkollat tona dhe në kuadër të kurrikulës shkollore në Kosovë.”
“Java e Edukimit Global mbi Median dhe Informacionin” nis me 24 tetor dhe përfundon me datën 31 tetor, 2021.