Mbase i kemi parë në filma fantastiko-shkencorë, por kujt ia ka marr mendja që kaq shpejt do të bëhen realitet?! Teknologjitë e reja po kalojnë edhe limitet e imagjinatës. Të tilla kanë qenë edhe zbulimet nga teknologjia të javës së fundit, të cilat i kemi sjell të përmbledhura më poshtë.
Javën që sapo e kemi lënë pas, amerikanët kanë prezantuar shpikjen revolucionare, e që frymëzim kanë gjetur në filmat fanta-shkencë. Po flasim për një unazë e cila e shndërron ngrohtësinë e trupit të njeriut në energji, duke e bërë trupin një lloj baterie biologjike. Pajisja vendoset në gisht si unazë dhe e shfrytëzon ngrohtësinë natyrale për ta shndërruar në energji temperaturën e brendshme të trupit. Shkencëtarët e Universitetit të Kolorados, kane arritur që të prodhojnë rreth një volt energji për secilin centimetër katror të pajisjes, ndërsa po vlerësojnë se kjo teknologji mund të përdoret për prodhimin e një pajisjeje në formën e një byzylyku sportiv, për të prodhuar rreth pesë voltë rrymë.
Ndërkohë, NASA ka befasuar me konkursin që ka hapur. Ajo po dhuron 500.000 dollarë, si shpërblim për ata që do të shpikin ushqimin e së ardhmes, ushqim i destinuar për misionet e njeriut në “Mars dhe gjetkë”. Po flasim për zbulimin e një ushqimi të shëndetshëm, të shijshëm dhe që i reziston edhe udhëtimeve ndëryjore. Kjo nismë ka ardhur në bashkëpunim me Agjencinë Kanadeze të Hapësirës dhe me rastin e njëqindvjetorit të NASA-s, e cila ka vendosur qëllim që ky ushqim të zbulohet brenda 7 muajve.
Një tjetër befasi javore, ka qenë shpikja e WI-FI 6E, që padyshim ka shënuar histori në fushën e wireless. Ky WI-Fi do të ndryshojë tërësisht mënyrën se si përdorim wireless-in. Wi-Fi 6E mund të tolerojë interferencën duke shtuar 100 kanale të reja, transmetim të dhënash më tepër sesa wireless-ët e zakonshëm.
Hulumtimet rreth CoViD-19, nuk kanë të ndalur. Zbulimet e fundit tregojnë se virusi CoViD-19, mund të detektohet për më pak se 10 sekonda. Është kompania polake ML System, që ka zhvilluar një sensor që mund të zbulojë virusin në fjalë, për më pak se 10 sekonda dhe siç bëhet e ditur, ky sensor tashmë ka përfunduar testet e saj paraprake.