Të rinj të Komunitetit Shqiptar dhe Serb që jetojnë në Kosovë, do ta kenë mundësi që të ndjekin kurse falas të gjuhës shqipe dhe serbe sipas metodologjisë së mësimit ‘VocUp’. Këto kurse do të organizohen nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM), me mbështetje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, ndërsa afati i fundit për aplikim është data 18 nëntor, 2020.
Nga përvoja e deritanishme, numër i madh i të rinjve shprehin interesim për t’u bërë pjesë e këtyre kurseve, thotë asistentja e projektit në Programin e Mbështetjes së Kohezionit Social në ‘IOM’, Arlinda Sejdiu, e cila njëkohësisht edhe vetë ka qenë pjesëmarrëse në këto kurse. Për Radio KFOR-in, ajo ka përmendur disa nga arsyet pse të rinjtë në Kosovë duan të mësojnë gjuhë të reja: “Shumica e të rinjve kanë pasur për qëllim fillimisht njohjen e një gjuhe të re, ndërsa synimi i dytë i tyre mendojmë që është se me njohjen e gjuhës serbe kanë mundësi më të mira të punës, ndërsa synimi i tretë është integrimi në shoqëritë tjera. Me njohjen e gjuhëve tjera, të rinjtë mund të komunikojnë edhe me persona nga komunitetet tjera. Ju kisha sugjeru të gjithëve me shfrytëzu këtë mundësi, sepse fakti që ka kaluar gjithçka online, po e bën shumë më të lehtë pjesëmarrjen. Ju bëj thirrje të gjithë të rinjve që janë të interesuar që të aplikojnë.”
Ky projekt ka për qëllim që t’i afrojë të rinjtë e komuniteteve të ndryshme në Kosovë dhe t’i integrojë ata në shoqëri, thotë për Radio KFOR-in, Bojan Stamenkovic nga ‘IOM’, i cili pati edhe një porosi pikërisht për të rinjtë: “Mesazhi im, veçanërisht për të rinjtë është që të lirohen nga paragjykimet dhe të shikojnë përpara drejt një të ardhme të përbashkët, sepse ne kemi jetuar, jetojmë dhe do të vazhdojmë të jetojmë bashkë. Kështu që do t’ia lehtësojmë vetes jetën dhe do ta bëjmë një hap para drejt një të ardhme më të mirë.”
Kurset falas të gjuhës shqipe dhe serbe, pritet të fillojnë nga mesi i muajit nëntor dhe të vazhdojnë deri në mesin e muajit janar.