Shekulli në të cilin po jetojmë pa dyshim është me risi të shumta çdo ditë, sa i përket shpikjeve teknologjike dhe ne jemi dëshmitar të këtyre ndryshimeve drastike, në mënyrën se si komunikojmë dhe ndajmë informacione me të tjerët. Sot do të prezantojmë disa nga informacionet më të reja nga teknologjia:
– Shfletuesi i faqeve të internetit Mozilla ka lansuar versionin më të ri të shfletimeve të faqeve online ‘Firefox 89’, që vjen me disa veçori të reja. Këto detaje të reja përfshijnë meny të shfletimeve dhe ndërrimit të faqeve që janë krejtësisht të reja dhe nuk i kemi parë më herët. Po ashtu, është përmirësuar sistemi operativ macOS dhe është rritur siguria kur bëhet fjalë për këtë shfletues. Tashmë si pjesë e Firefox 89 janë krijuar edhe disa opsione të tjera, ndërsa ato që janë konsideruar të panevojshme, janë larguar krejtësisht.
– Gjigandi i prodhimeve teknologjike LG ka njoftuar se zyrtarisht do të ndërpresë prodhimin e telefonave mobil. Fabrika e LG Electronics në Vietnam, ku prodhohen shumica e telefonave celularë të LG-së, do të shndërrohet në një fabrikë të pajisjeve shtëpiake. LG ka edhe dy kompani simotra LG Innotek dhe LG Display, që prodhojnë kamera dhe ekrane. Me këtë ndërrim, LG është në rrugë për t’u bërë prodhuesi më i madh i pajisjeve shtëpiake. Vlen të përmendim se shitjet në tremujorin e dytë të këtij viti, janë të mëdha dhe arrijnë në 6.3 miliardë dollarë.
– Kompania e famshme e telefonave Samsung pritet të lansojë telefonat e rinj të palosshëm Galaxy Z Flip 3 dhe Galaxy Z Fold 3, në muajin gusht të këtij viti. Kjo kompani raporton që tashmë ka nisur prodhimin në masë, të këtyre pajisjeve. Kompania nga Koreja Jugore raportohet se ka nisur prodhimin e të gjithë përbërësve të rëndësishëm të pajisjes Galaxy Z Fold 3. Raportohet po ashtu se do të ketë prodhim vetëm sa një e treta në krahasim me telefonat e serisë Galaxy S, kjo për shkak të çmimit të lartë që do të kenë këta telefona të rinj.
Sipas një raportimi të mëhershëm, Samsung synon shitjen e tre milionë njësive të Galaxy Z Fold 3 dhe katër milionë të Galaxy Z Flip 3.