Situata aktuale me ‘CoViD-19’ në Kosovë, po vazhdon të jetë stabile, pavarësisht që ditëve të fundit janë shënuar shifra më të larta të rasteve pozitive me ‘CoViD-19’.
Drejtoresha e Klinikës Infektive në Q.K.U.K, Lendita Ajazaj-Berisha, thotë për Radio KFOR-in se ditëve të fundit kanë pasur rritje të lehtë të numrit të pacientëve në Klinikë, të prekur me këtë virus: “Ne në Klinikën Infektive kemi një rritje të lehtë të numrit të pacientëve edhe të rasteve të spitalizuara, po edhe të rasteve që po kërkojnë ndihmë mjekësore në mënyrë ambulantore në Ambulantën e Klinikës Infektive. Sa i përket pacientëve që kemi në Klinikë, ende kemi pacientë që janë në gjendje të rënduar, me oksigjenoterapi dhe në përkujdesje intensive nga infektologët tanë. Kjo rritje e lehtë e numrit të rasteve me Covid pozitiv, neve na bën me kuptu, që ende e kemi infeksionin brenda vendit dhe duhet edhe më tutje të jemi të kujdesshëm.”
Ndërsa, infektologu, Boban Stolic, për Radio KFOR-in tha se përvoja e deritanishme do ta ndihmojë stafin mjekësor në përballjen e mëtutjeshme me ‘CoViD-19’: “Tanimë ka udhëzime të qarta në botë se si të trajtohet kjo sëmundje. Por, shpresoj se së shpejti do të jetë gati vaksina për të dhe me zbulimin e saj, do të marrë fund gjithçka. Do të fitojmë imunitet dhe do të mbrohemi.”
Aktualisht, mbajtja e maskës, distancës fizike dhe higjienës personale, janë preventiva më e efektshme kundër ‘CoViD-19’.