Një pneumoni e panjohur më parë u zbulua për herë të parë në Wuhan të Kinës, në dhjetor të vitit 2019. Shpërthimi i virusit të ri në botë u bë i njohur si ‘COVID-19’, duke u zgjeruar në gjithë botën për të prekur pothuajse çdo cep të globit. Qindra mijëra njerëz në mbarë botën janë sëmurë nga ky virus e qinda të tjerë kanë fituar betejën e tyre duke u shëruar plotësisht. ‘Organizata Botërore e Shëndetësisë’ ka shpallur një emergjencë globale shëndetësore dhe e ka vlerësuar rrezikun global të përhapjes së COVID-19 si “shumë të lartë”, përcaktimin më serioz që jep kjo organizatë. Në këtë valë të shpërthimit të virusit u prek edhe Kosova. Rasti i parë i raportuar në vend u regjistrua me 13 mars 2020, duke prekur një 77-të vjeçar nga Stublla e Vitisë.
Edhe Petrit Bylukbashi një i ri nga Prishtina, ishte njëri nga të prekurit me këtë virus, i cili për Radio KFOR-in ka ndarë kujtimet e e tij të përballjes dhe kalimin e kësaj sfide, duke u shëruar pas 18 ditësh, nga koha kur kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.
Ai tregoi se simptomat e para që u paraqitën përfshinin: kokëdhembje, temperaturë, frymarrje të vështirësuar, djegje të syve, shtrëngim të gjoksit, dhimbje fyti, kollë të thatë, plogështim të muskujve dhe dhimbje të nyjeve. Gjatë këtij rrugëtimi disa javor Petriti u vetëizolua, duke luftuar me këtë virus me pozitivitet dhe shpresë për të tejkaluar atë. Në një prononcim për Radio KFOR-in, Petriti tregoi se ky virus ngjan me një grip sezonal të zakonshëm dhe ai e tejkaloi virusin shumë lehtë.
Ai përveç kujdesit që mos ti infektojë të tjerët, gjatë kohës kur po shërohej, kohën e tij në izolim e shfrytëzoi edhe për të bërë gjëra që nuk kishte pasur kohë t’i bënte më parë: “Talentin tim në kuzhinë e ngrita për një shkallë më lartë, duke përgatitur ushqime të ndryshme, u mësova të luaj playstation (do filloj të marrë pjesë në turnamente për FIFA20), fillova ta “studioj” natyrën nga dokumetarët, i lexova disa nga veprat e shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli, të cilat i kisha në plan t’i lexoj që një kohë të gjatë, e që kurrë nuk e gjeta kohën për to, po ashtu, dëgjoja muzikë dhe komunikoja me familjarë e miq.”
Kjo periudhë me të cilët po përballemi të gjithë ne, ka reflektuar tek secili prej nesh në mënyra të ndryshme, duke na rikujtuar se dashuria dhe empatia ndaj njëri-tjetrit është një nga vlerat më të larta që duhet të kemi. Për Petritin po ashtu, kjo periudhë ka zgjuar ndjenjën e bashkimit dhe lidhjes më të madhe me njerëzit: “Kam mësuar që kishim qenë duke jetuar në robotikë dhe ndjenjat njerzëore ishim gati t’i humbim. Kjo pandemi ka bashkuar njerëzit shpirtërisht pavarësisht distancës sociale që po mbajmë fizikisht.”
Petriti është vetëm një nga personat që e kaloi këtë virus duke u kujdesur maksimalisht dhe duke motivuar të tjerët që po përballen me këtë virus. Ai pasi rezultoi negativ dhe u shërua plotësisht nga COVID-19, po ndihmon edhe të tjerët për t’u përballur me këtë virus, duke punuar vullnetarisht në ‘Qendrën e Studentëve’ në Prishtinë, që është improvizuar në karantinë për qytetarët.
Petriti apeloi tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes, të respektojnë të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore në vend dhe mbi të gjitha ai apeloi të jeni optimist për vetën dhe familjet tuaja. Prandaj, buzëqeshni, dhuroni dashuri sa më shumë dhe duajeni jetën çdo moment.