‘Dita Botërore e Humanizmit’ është një ditë ndërkombëtare që i dedikohet punës humanitare të njerëzve të cilët kanë kontribuar në këtë fushë dhe kanë humbur jetën, duke punuar për kauza humanitare. Data e sotme, 19 Gusht, është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si ‘Ditë Botërore e Humanizmit’. Kjo datë, shënon ditën në të cilën Përfaqësuesi Special i atëhershëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, me seli në Irak, Sérgio Vieira de Mello dhe 21 kolegët e tij, u vranë në bombardimet e Selisë së OKB-së, në Bagdad.
Vdekja e tyre, më 19 gusht, të vitit 2003, i mori komunitetit humanitar një ekip shembull të humanizmit si dhe një udhëheqës dhe intelektual të shquar humanitar, siç ishte z. Sérgio Vieira de Mello, i cili me punën e tij, mendimet, filozofinë, dinamizmin dhe guximin, frymëzoi të gjithë që patën fatin të punojnë me të, ndërsa puna e tij, do të mbetet trashëgimi e përjetshme për brezat e ardhshme.