“Paga të njëjta, për punë të njëjta”, çdo vit ky është slogani kryesor në gjithë botën, për të shënuar ‘Ditën e Pagave të Barabarta’, që shënohet me 18 shtator, krijuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Gratë ende përballen me pabarazi të shumta, në pothuajse të gjitha shoqëritë por edhe në Kosovë, ky aspekt ende e gjen gruan në pozitë të pabarabartë krahas burrave, sa i përket hendekut gjinor të pagesës së njëjtë, për punë të njëjtë.
Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me koordinatoren e projekteve në ‘Rrjetin e Grave të Kosovës’, Adelina Tershani, e cila theksoi se edhe hulumtimet e fundit tregojnë që ekziston hendeku gjinor sa i përket pagesës së barabartë për punë të njëjtë, në organizata e institucione të ndryshme: “Fatkeqësisht, përveç diskriminimeve të tjera në bazë gjinore, që gratë dhe vajzat hasin në vende të punës në Kosovë, edhe pagesa e pabarabartë për punën e njëjtë ne mes të burrave dhe grave, është një diskriminim me të cilën përballen gratë. Raporti i ‘Agjensisë për Barazi Gjinore’, në Kosovë i vitit 2020, tregon që burrat mesatarisht paguhen 34 euro neto në muaj, më shumë se gratë, për të njëjtën punë. Kjo çështje shpesh kamuflohet nga vet punëdhënësi, duke i emëruar pozitat e grave me pozita që mund të arsyetohen më pak edhe pse puna e një gruaje ose burri bëhet e njëjtë.”
Znj. Tershani, apeloi se të gjithë personat të cilët hasin në diskriminim gjinor dhe përballen me padrejtësi në pagesë, për punën që bëjnë krahas kolegëve të tyre, duhet të raportojnë në Inspektoratin e Punës, në mënyre që shkelje të kësaj natyre, të mos përsëriten.