Pas barazimit me Italinë, dje (12 janar) hendbollistët kosovarë kanë fituar bindshëm ndaj Gjeorgjisë, në Benevento të Italisë. Federata e Hendbollit të Kosovës ka theksuar se merita të mëdha kanë selektori Taip Ramadani, shtabi teknik i tij dhe natyrisht të gjithë lojtarët.
“Pas disfatës nga Rumania, nuk kam pritur që lojtarët të kthehen fuqishëm, duke patur parasysh telashet që i patëm me grip në këto dy ndeshjet e fundit. Por lojtarët treguan shpirt luftarak ndaj Gjeorgjisë dhe arritën që kualifikimet t’i mbyllin me fitore dhe në vend të dytë. Është një hap i rëndësishëm para, pasi e kemi ditur se me Rumaninë nuk do të jetë aspak lehtë, sepse janë të fortë dhe një nivel më lartë. Kjo fazë kualifikuese ishte një përvojë shumë e mirë për ekipin tonë dhe në përgjithësi jam i kënaqur me atë që treguam”, ka theksuar selektori Ramadani në faqen zyrtare të Federates së Hendbollit në Facebook.
Me këtë fitore ndaj Gjeorgjisë 30:21, Kosova e ka mbyllur turneun kualifikues në Itali, duke përfunduar në vendin e dytë për kualifikimet e Botërorit.