Galeria e re ‘Lumi91’ i hap dyert sot në Prishtinë, me ekspozitën ‘1928 – Rexhep Rakovica, Portrete’. Hapja e galerisë dhe ekspozitës do të bëhet nga ora 19:00. Ekspozita sjell për publikun një përzgjedhje të fotografive të fotografit Rexhep Rakovica (1909–1988), një prej emrave të rëndësishëm të fotografisë së hershme në Prishtinë. Përmes portreteve individuale, familjare dhe grupore, ekspozita ofron një vështrim të veçantë mbi njerëzit, jetën e përditshme dhe atmosferën shoqërore të Prishtinës së dikurshme.
Rakovica nisi të merrej me fotografinë në vitin 1928, ndërsa gjatë dekadave të veprimtarisë së tij krijoi një arkiv të çmuar fotografik, duke dokumentuar breza të ndryshëm dhe momente të rëndësishme të jetës së qytetit. Fotografitë e tij sot kanë vlerë jo vetëm artistike, por edhe historike e dokumentare, pasi ruajnë pamje dhe kujtime nga një Prishtinë që ka ndryshuar ndjeshëm me kalimin e kohës.
Përmes kësaj ekspozite, galeri ‘Lumi91’ synon të krijojë një hapësirë të re për prezantimin dhe promovimin e artit, fotografisë dhe trashëgimisë kulturore në kryeqytet.







