Milano dhe Cortina d’Ampezzo sonte janë në qendër të vëmendjes botërore, teksa po hapen zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026. Ceremonia madhështore e hapjes shënon nisjen e edicionit të 25-të, të Olimpiadës Dimërore një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive në nivel global.
Ceremonia e hapjes mbahet në Milano, duke reflektuar konceptin unik të këtyre Lojërave, të cilat organizohen për herë të parë në dy qytete pritëse. Organizatorët kanë premtuar një spektakël modern që ndërthur sportin, kulturën italiane, artin dhe teknologjinë, duke promovuar gjithashtu qëndrueshmërinë dhe trashëgiminë alpine.
Mbi 2.900 sportistë nga më shumë se 90 shtete, do të garojnë në 16 disiplina sportive dimërore, përfshirë skijimin alpin, patinazhin artistik, hokejin mbi akull dhe snowboarding-un. Garat do të zhvillohen në disa lokacione ikonike të Italisë veriore, përfshirë Cortina d’Ampezzo, Bormio dhe Livigno.
Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 konsiderohen si një moment historik për Italinë, e cila rikthehet si nikoqire olimpike pas Lojërave Dimërore të Torinos në vitin 2006. Përveç rëndësisë sportive, ngjarja pritet të ketë ndikim të madh ekonomik, turistik dhe kulturor për vendin.
Lojërat do të zgjasin deri më 22 shkurt, duke sjellë dy javë emocione, rivalitet sportiv dhe momente historike në skenën olimpike.







