Edukimi është një nga mjetet më të rëndësishme për të fuqizuar gratë me njohuri, aftësi dhe vetëbesim të nevojshëm për të marrë pjesë plotësisht në procesin e zhvillimit të një vendi.
Se gruaja është e zonja dhe punon për ngritjen e vlerave të një shoqërie, më së miri e tregon suksesi i themelueses dhe drejtueses së organizatës “ArtPolis” dhe Festivalit “FemArt”, Zana Hoxha, e cila për Radio KFOR-in tregoi se si arrihet ky sukses: “Përmes punës sime si artiste dhe aktiviste, unë kontribuoj në fuqizimin dhe përmirësimin e të drejtave të grave dhe të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Së bashku ne mund ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë, të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.”
Institucione të shumta vendore dhe organizata të shumta jo-qeveritare po vazhdojnë të punojnë në Kosovë, për eliminimin e diskriminimit ndaj grave dhe vajzave, për fuqizimin e tyre, për barazinë midis grave dhe burrave si partnerë dhe përfitues të zhvillimit, të drejtave të njeriut, veprimeve humanitare, paqes dhe sigurisë.