Në shumë vende të botës, gratë rurale përfaqësojnë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore bujqësore, por shpesh përballen me sfida të shumta, si qasja e kufizuar në arsim, kujdesi shëndetësor, toka pjellore, teknologjia e re dhe financat. Pavarësisht kontributit të tyre të jashtëzakonshëm, ato mbeten një nga grupet më të margjinalizuara. Prandaj, për të njohur dhe vlerësuar rolin thelbësor të grave që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale, në zhvillimin e qëndrueshëm, sigurinë ushqimore dhe forcimin e komuniteteve lokale, Kombet e Bashkuara vendosën që më 15 tetor, të shënohet “Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale”.
E përcaktuar nga OKB-ja, tema e këtij viti, është “Fuqizimi i grave rurale, për një të ardhme të qëndrueshme”, e cila synon të theksojë rëndësinë e përfshirjes aktive të grave rurale në proceset vendimmarrëse dhe politikat për klimën, ekonominë dhe zhvillimin rural.
Në këtë ditë, organizata ndërkombëtare, qeveri dhe komunitete në mbarë botën bëjnë thirrje për veprime konkrete, për përmirësimin e jetës së grave rurale dhe për avancimin e barazisë gjinore, në të gjitha nivelet.







