“Gjumë cilësor, mendje e shëndoshë, botë e lumtur”, ky është slogani me të cilin shënohet këtë vit “Dita Botërore e Gjumit”, për të cilën është ndarë edhe data e sotme, 18 marsi.
Gjumi është shumë i rëndësishëm për shëndetin fizik dhe atë psikologjik, është tejet i nevojshëm për funksionimin normal të organizmit. ‘Një gjumë i mirë, jo vetëm që kontribuon në mirëqenien dhe shëndetin e të gjithëve, por gjithashtu përmirëson humorin dhe disponimin’, kështu tha për Radio KFOR-in, Psikologia dhe Terapistja Stimuluese, në Ambulancën Specialistike të Psikologjisë Klinike “Visar A. Sadiku B.I”, znj. Vlora Fejza, e cila gjithashtu na tregoi se cilat janë simptomat e një gjumi jo të mirë: “Kur të bëni mjaftueshëm orë gjumë, ju përfitoni mirëqenien tuaj emocionale, duke ju sjellë kështu një humor të mirë. Pagjumësia është një lloj çrregullimi i gjumit. Njerëzit që vuajnë nga pagjumësia janë te prirë që të kenë probleme të mëdha psikologjike dhe persona të tillë shpesh nuk ndihen të relaksuar kur zgjohen nga gjumi. Marrëdhënia midis pagjumësisë dhe shëndetit mendor është shumë e ngushtë. Pasojat e zakonshme të gjumit me cilësi të dobët, mund të shkaktojnë një sërë problemesh psikologjike dhe mendore si: nervozizëm, probleme me kujtesë, probleme të vëmendjes, stres, halucinacione, çështje psikologjike të tilla si ankthi ose depresioni, lodhje, probleme me tretje, dhimbje fizike si dhe mos funksionim normal në orarin e punës apo në aktivitetet e përditshme të individit.”
E jo veç mungesa e gjumit sjell dëme në organizëm, duhet të kemi kujdes edhe që të mos e teprojmë me të: “Nuk duhet ta lëmë pa i përmendur efektet negative që vinë si pasojë e një gjumi të tepërt. Një i rritur mesatar ka nevojë për 7-8 orë gjumë gjatë natës. Personat që flenë më shumë se 10 orë gjumë, mund t’i bëjnë dëm shëndetit mendor dhe ati fizik, pasi që gjumi i tepërt mund të shkaktojë probleme me peshë, rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, probleme me përqendrimin, ndërprerje e ciklit menstrual, ulje të vëllimit muskulor, dobësim të sistemit imun dhe depresion”, tha më tej Psikologe, Vlora Fejza, e cila na tregoi gjithashtu se fëmijët e porsalindur duhet të flenë 14 deri në 17 orë gjatë ditës dhe natës.
Bebet duhet të flenë 12 deri në 14 orë, fëmijët 11 deri në 13 orë, parashkollorët 10 deri në 12 orë, adoleshentët 8 deri në 10 orë, të rriturit 7 deri në 9 orë, mosha mesatare 7 deri në 9 orë dhe të moshuarit 7 deri në 8 orë.