Meqenëse kriza energjetike tashmë është evidente në vendin tonë, faktorë të ndryshëm po ndikojnë që kufizimet e planifikuara me energji elektrike për të gjithë konsumatorët, të vazhdojnë edhe gjatë këtyre ditëve.
Për të mësuar arsyen konkrete të kësaj gjendjeje, e cila po thellohet gjithnjë e më shumë dhe për të kuptuar, nëse këto reduktime do t’i kemi edhe më tutje, përkatësisht edhe gjatë festave të fundvitit, Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me zëdhënësin e KEDS-it, z. Viktor Buzhala, i cili nënvizoi:
‘‘Mbingarkesat e sistemit elektro-energjetik dhe trendi i rritjes së shpejtë të konsumit, kanë bërë që kufizimet e planifikuara me energji elektrike për të gjithë konsumatorët të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri sa të marrim instruksione tjera nga KOSTT. Nga dje, kemi filluar me kufizime nga 2 orë, ne shpresojmë që kjo gjendje sa më shpejt të përfundoj dhe të kthehemi në normalitet. Evropa dhe ne jemi afektuar keq nga ajo krizë energjetike, po presim ta tejkalojmë atë. Ne i apelojmë të gjithë konsumatorëve, që nëse kanë mundësi të mos e përdorin energjinë elektrike për ngrohje dhe të jenë të kujdesshëm në shfrytëzimin e bojlerëve, t‘i lëshojnë ata pas orës 22:00, kur energjia elektrike është më e lirë ose t’i lëshojnë 2 apo 3 orë para përdorimit të tyre, pra mos t’i lëshojnë gjatë gjithë ditës, sepse kësisoj ndikojnë direkt në faturat e tyre mujore. Për sa i përket reduktimeve gjatë festave të fundvitit, parametrat fillestar na tregojnë që nuk do të kemi reduktime, mirëpo duhet analizuar të gjitha parakushtet. Ne veprojmë në bazë të instruksioneve, të cilat i marrim nga KOST-i’’, përfundoi z. Buzhala.