Që nga shpallja e pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, me datën 11 mars të këtij viti, shumë vende të botës ende po ballafaqohen me raste të shtuara me këtë virus. Në këtë ballafaqim me ‘CoViD -19’ nuk përjashtohet as Kosova, ku sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, vetëm gjatë 24 orëve të fundit 14 pacientë kanë humbur jetën, kurse janë regjistruar 519 raste të reja me ‘CoViD -19’.
Ata njoftojnë se deri më tani, numri total i rasteve pozitive është 43.324 persona, nga 154.084 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2 dhe deri më sot, janë shënuar gjithsej 1.120 raste të vdekjes.
Për të ditur se cila është gjendja momentale me ‘CoViD -19’, Radio KFOR-i kontaktoi, infektologun, Dr. Murat Mehmeti: “Për momentin nuk ka ndonjë përmirësim, d.m.th. gjendja është e njëjtë, numri i pacientëve edhe më tutje është i madh, po flas për Klinikën Infektive, ku numri i pacientëve vazhdon me qenë shumë i lartë si dhe kapacitetet e Klinikës Infektive janë vazhdimisht të mbushura, të plotësuara dhe që tash për tash nuk ka ndonjë rënie.”
Për t’u mbrojtur nga ‘CoViD -19’, si masë preventive edhe me tutje mbeten masat: mbulimi i gojës dhe hundës me maskë, respektimi i distancës si dhe mbajtja e higjienës.