Policia e Kosovës me përkushtimin dhe punën e tyre të palodhshme edhe gjatë gjithë kohës së pandemisë, po ofrojnë mbështetje në mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Policia e Kosovës, referuar vendimeve të institucioneve të Kosovës si dhe referuar planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër COVID-19, ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor të quajtur “UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19”.
Rreth punës së Policisë së Kosovës gjatë pandemisë, Radio KFOR-i ka biseduar me zyrën për informim në Policinë e Kosovës, të cilët treguan edhe për bashkëpunimin e tyre me institucione të tjera gjatë periudhës së pandemisë dhe për sfidat që janë përballur zyrtarët policor në këtë periudhë: “Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, komfor edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim. Policia përmes planifikimeve operacionale dhe veprimeve në teren ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin, parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballje me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë. Gjatë këtij procesi, përveç sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve, masa adekuate mbrojtëse ka ndërmarrë edhe për ruajtjen e shëndetit të zyrtarëve policor të cilët kanë punuar me orare të zgjatura dhe për këtë falënderoj të gjithë ata që kanë ofruar mbështetjen e vazhdueshme, përfshirë edhe mjetet mbrojtëse gjatë pandemisë.”
Bazuar në angazhimet policore, përveç realizimit të fushatave sensibilizuese dhe dhënies së vërejtjeve, Policia e Kosovës bazuar ne ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në Kosovë nga data 26.08.20 e deri me 31.07.21 ka shqiptuar 206 mijë e 802 fletëparaqitje (tiketa) në bazë të ligjit anti-covid, ndaj atyre që kanë rënë ndesh me ligjin.