Çdo vit ‘Dita Botërore e Pianos’ festohet në ditën e 88-të të vitit dhe përkon me numrin e tasteve në piano. Kjo ditë u themelua për të promovuar zhvillimin e muzikës dhe për të ndarë gëzimin e të luajturit në piano.
Kur pianisti dhe kompozitori i njohur gjerman, Nils Frahm u pyet se përse na duhet ‘Dita Botërore e Pianos’? – ai u përgjigj kështu: “Për shumë arsye, por më së shumti, sepse nuk është e dëmshme të festosh për këtë instrument dhe gjithçka rreth saj, për: interpretuesit, kompozitorët, ndërtuesit e pianos, akorduesit dhe më e rëndësishmja, për dëgjuesit”.
Kjo datë festohet në mbarë botën përmes performancave, masterklasave, leksioneve, etj. Që nga fillimi i shënimit të saj, ‘Dita Botërore e Pianos’ ka fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm, me pjesëmarrjen e pianistëve, promovuesve, organizatorëve, teknikëve, entuziastëve të pianos dhe të gjithë atyre që lidhen me instrumentin.