Bota e basketbollit i ka kthyer sytë nga Los Angeles. Edhe zyrtarisht nis fundjava më spektakolare e sportit, NBA All-Star 2026. Ky vit është i veçantë, pasi NBA feston edicionin e 75-të të “Lojës së Yjeve” dhe arena e re teknologjike Intuit Dome në Inglewood, do të jetë qendra e botës për tri ditët e ardhshme.
Adhuruesit e basketbollit mund të shijojnë “NBA Crossover”, ndërsa ngjarjet kryesore nisin nga nesër.
Spektakli nis zyrtarisht të premten, më 13 shkurt, me ndeshjen e të famshmëve (Celebrity Game) në “Kia Forum”, ku yjet e shou-bizit do të tregojnë talentin e tyre në basketboll. Po atë natë, vëmendja zhvendoset tek talentët e rinj në “Intuit Dome”, ku në sfidën Rising Stars do të ballafaqohen lojtarët më premtues të vitit të parë dhe të dytë në NBA.
E shtuna e 14 shkurtit, do ti dedikohet mjeshtërisë individuale dhe adrenalinës. Nata “All-Star Saturday Night” do të kulmojë me garën e shkathtësive (Skills Challenge), gjuajtjet precize për tri pikë (3-Point Contest) dhe natyrisht, garën më të pritur të ngulitjeve (Slam Dunk Contest), që gjithmonë dhuron emocione të forta.
Mbyllja e kësaj feste madhështore bëhet të dielën, më 15 shkurt, me ndeshjen kryesore të yjeve. Për nder të 75-vjetorit, NBA ka prezantuar një format krejtësisht të ri “round-robin”. Në vend të ndarjes tradicionale Lindje-Perëndim, do të garojnë katër ekipe, përfshirë një ekip me yjet ndërkombëtarë (Team World). Ky ndryshim pritet ta rrisë rivalitetin në fushë dhe t’i japë ndeshjes një karakter më shumë garues.
Për herë të parë pas shumë vitesh, komisioneri Adam Silver ka prezantuar formatin e ri ku përfshihen lojtarët e SHBA-së kundër Botës, duke reflektuar rritjen e jashtëzakonshme të talenteve globale si Giannis Antetokounmpo dhe Luka Dončić.
Gjithçka është gati për një fundjavë plot magji, rekorde dhe spektakël që vetëm NBA mund ta ofrojë.







