Organizata “GAIA Kosovo” do të organizojë një tubim katër ditorë, duke filluar nga 11 shtatori deri më 15 shtator, ku do të diskutohet për mbrojtjen e natyrës dhe ballafaqimin me sfidën e ndryshimeve klimatike.
Në këtë tubim mund të marrin pjesë 36 të rinj, të cilët kanë kohë për aplikim deri nesër (4 shtator).
Organizatorët kanë thënë se për këto katër ditë do të mësojnë, diskutojnë dhe veprojnë për çështjet urgjente mjedisore, si: ndryshimet klimatike dhe ndikimi i tyre, rëndësia e trashëgimisë natyrore dhe kërcënimet që i kanosen kësaj trashëgimie, si dhe praktikat e mira të mbijetesës së qëndrueshme.
Programi do të zhvillohet në gjuhën angleze, por sipas organizatorëve, gjuha nuk duhet të jetë pengesë, pasi do të ketë përkthim në gjuhën shqipe dhe atë serbe.
Në këtë program mund të aplikojnë të gjithë të rinjtë që janë të shqetësuar për natyrën dhe ndryshimet klimatike si dhe janë të interesuar të ndërmarrin ndonjë veprim në lidhje me natyrën dhe të ardhmen.
Organizatorët ndër të tjerash kanë bërë të ditur se të rinjtë që i bashkohen programit do të kenë mundësinë të mësojnë nga ekspertë dhe aktivistë me përvoja interesante, të bashkëbisedojnë me banorët e rrethinës që janë munduar t’i mbrojnë lumenjtë dhe natyrën, të shikojnë filma dokumentarë për këtë problematikë, si dhe të përgatisin aksione për të ardhmen.
Programi do të zhvillohet në një motel afër qendrës së skijimit në Brezovicë, meqë për Brezovicën dhe Malet e Sharrit do të diskutohet gjatë këtyre katër ditëve.
Youth BRE! mbështetet nga UNIMIK – korniza e programit mbi siguri dhe UN Youth Peace, e implementuar nga GAIA Kosovo.