Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, bamirësia mbetet një nga format më të fuqishme të solidaritetit njerëzor. Ajo bashkon njerëzit përtej kufijve, kombësive dhe dallimeve sociale, duke ndërtuar shoqëri më të drejta, më të qëndrueshme dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të të tjerëve. Qoftë përmes ndihmës së drejtpërdrejtë, vullnetarizmit apo veprimeve kolektive, bamirësia është një akt që fuqizon, lidh dhe transformon.
Çdo 5 shtator, bota shënon “Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë”, një datë që mban një domethënie të veçantë, që lidhet me përvjetorin e ndarjes nga jeta e të Shenjtës Nënë Tereza, simbol i përkushtimit ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të pambrojturve. Nënë Tereza, e lindur në Shkup në vitin 1910, ia kushtoi jetën shërbimit të atyre që askush tjetër nuk i shihte, ku për më shumë se 45 vite, shërbeu në Indi dhe më gjerë, duke krijuar strehimore dhe qendra për më të varfrit e botës.
Në vitin 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që data 5 shtator, të njihet zyrtarisht si “Ditë Ndërkombëtare e Bamirësisë”, për të nderuar punën e Nënë Terezës dhe për të sensibilizuar shoqëritë për rëndësinë e ndihmës vullnetare dhe filantropike, sidomos në kohë krizash humanitare dhe sfidash të mëdha globale.







