Frederik Bulsara, u lind më 5 Shtator të vitit 1946, për tu bërë i famshëm në tërë botën vetëm 25 vjet më vonë, me emrin skenik Freddie Mercury, si pjesë e grupit Queen.
Ai tregoi interesim për muzikën qysh në moshë të hershme, por gjatë viteve të 60-ta, Freddie filloi të angazhohej me disa grupe muzikore. Së pari ishte pjesë e grupit ‘Wreckage’, e më pas u bë pjesë e grupit ‘ Smile’, që u kthye më vonë në emrin Queen. Albumi i parë i Queen, ishte vetëm një nismë drejt sukseseve madhore, grupi fitoi popullaritet edhe jashtë kufijve të Britanisë së madhe, duke arritur që të radhitet edhe në top listat e Evropës, Japonisë dhe SHBA-ve, kur në vitin 1979, zunë vendin e parë përveç në Britani të Madhe edhe në SHBA, me këngën “Crazy Little Thing, Called Love”.
Sukseset vazhduan edhe me projektet në vijim, veçohet kënga ‘Bohemian Rhapsody’, që u lansua në treg në vitin 1975 dhe përkundër dyshimeve të shumta për shkak të kohëzgjatjes, kënga qëndroi në krye të ‘UK Top Chart’, për 9 javë të plota. Ndër sukseset tjera që përjetoi Freddie bashkë me bendin e tij Queen, u realizua pikërisht në vitin 1985, kur grupi performoi në skenën e Live Aid, një performancë aq e fuqishme sa elektrizoi publikun në të gjithë botën.
Karriera e Freddie Mercury, është e lidhur ngushtë me grupin Queen, por ai ka punuar edhe projekte me bashkëpunëtorë të tjerë. Një i tillë u realizua në vitin 1996, kur së bashku me Dave Clark, punuan në projektin ‘TIME’. Ai incizoi edhe me divën e Operës, Montserrat Caballe, këngën ‘Barcelona’, që u bë himn i qytetit e gjithashtu pjesë e Lojërave Olimpike të vitit 1992. Edhe pse ishte një ‘showman’ i lindur, një person që rrezatonte energji për publikun, jeta e tij private nuk ishte edhe aq e lumtur dhe me diell. Kishte kohë që kishte kuptuar që ishte infektuar me HIV Aids, por që dashuria për muzikën i ndihmoi të vazhdonte, deri në momentin e fundit të jetës së tij. Freddie Mercury u shua nga jeta, më 24 Nëntor të vitit 1991, vetëm 24 orë pasi kishte njoftuar publikisht që është i infektuar me këtë sëmundje.