Rubrika ‘Artist of the Day’, sot është e rezervuar për një prej këngëtarëve më të famshëm të shekullit të 20-të. Bëhet fjalë për Frank Sinatra, i cili ka lindur më 12 dhjetor 1915, në New Jersey.
Ishte këngëtar, aktor dhe producent, i cili ka argëtuar gjeneratë pas gjenerate në tërë botën dhe projektet e tij muzikore dëgjohen me shumë ëndje edhe sot nga gjeneratat e reja.
Frank Sinatra, njihet nga fansat e tij ndryshe edhe si ‘Ol Blue Eyes’. Ai ka luajtur në më shumë se 50 filma të ndryshëm dhe është fitues i 10 çmimeve ‘Grammy’, 2 çmimeve ‘Golden Globe’, e po ashtu ai fitoi edhe çmimin ‘Oscar’, për ‘Aktorin më të mirë në rolin mbështetës’, për rolin e tij në filmin ‘From Here to Eternity’ si dhe një çmim nderi ‘Oscar’, për punën e tij në filmin e shkurtër ‘The House I Live In’, i cili ishte në mbrojtje të barazisë racore dhe sekularizmit. Përveç këtyre, ai fitoi edhe çmime tjera të njohura, si: ‘The Jean Hersholt Humanitarian’, ‘Screen Actors Guild Life Achievement Award’ dhe ‘Cecil B DeMille Award’. Në nivel naconal ai fitoi çmimet: ‘Kennedy Center Honors Lifetime Achievement’, ‘Medaljen e Artë të Kongresit’ dhe ‘Medaljen Presidenciale për Liri’.
Një vit i rëndësishëm për Sinatrën ishte viti 1953, kur ai nënshkroi marrëveshje me ‘Capitol Records’, ku aty takoi dhe punoi me disa nga muzicientët më të mirë të asaj periudhe, siç ishin Nelson Riddle, Gordon Jenkins dhe Billy May. Ai filloi edhe lansimin e një serie albumesh, thuajse të gjitha me përmbajtje të errët sa i përket anës emocionale. Disa nga këto albume ishin: ‘In the Wee Small Hours” (1955), ‘Where Are You?’ në bashkëpunim me Nelson Riddle dhe ‘Frank Sinatra Sings For Only The Lonely (1958)’.
Albumi i parë live i Frank Sinatra’s, titullohet ‘Sinatra at the Sands’, që ishte incizuar gjatë janarit dhe shkurtit të vitit 1966 në Hotelin Sands dhe në Kazino në Las Vegas. Më 1971 ai kishte paralajmëruar pensionimin e tij, për t’u kthyer sërish në skenë vetëm dy vite më vonë, me një paraqitje të veçantë, të titulluar ‘Ol’ Blue Eyes Is Back’, album ky i realizuar nga Gordon Jenkins dhe Don Costa, që ishte një sukses i jashtëzakonshëm, duke arritur në pozitën numër 13 në Billboard dhe në pozitën numër 12 në top listat britanike. Po ashtu, ai u shfaq në filma dhe seriale të ndryshme deri në vitin 1980.
Albumet e fundit të lansuara nga Frank, ishin ato të realizuara në vitet 1993 dhe 1994, dy albume të quajtura ‘Duets I’ dhe ‘Duets II’, në të cilat i kishte përmbledhur bashkëpunimet me këngëtarët tjerë gjatë karrierës së tij. Këto dy albume u shndërruan në albumet më të shitura të tij. Madje, ai arriti të fitoj çmim ‘Grammy’ për albumin ‘Duets II’.
Artisti i pavdekshëm, Frank Sinatra, ndërroi jetë më 14 maj, të vitit 1998.